+ -

عَنْ عَلِيٍّ رضي الله عنه قَالَ: قَالَ لِي رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ:
«قُلِ اللهُمَّ اهْدِنِي وَسَدِّدْنِي، وَاذْكُرْ بِالْهُدَى هِدَايَتَكَ الطَّرِيقَ، وَالسَّدَادِ سَدَادَ السَّهْمِ».

[صحيح] - [رواه مسلم] - [صحيح مسلم: 2725]
المزيــد ...

Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ më ka thënë:
“Thuaj: 'O Allah, më udhëzo dhe më bëj të saktë! Me udhëzim, ke për qëllim udhëzimin tënd në rrugën e drejtë, ndërsa me saktësi, saktësinë në të qëlluar me shigjetë!”

[Ky hadith është sahih] - [E shënon Muslimi] - [Sahihu i Muslimit - 2725]

Shpjegimi

Profeti ﷺ e urdhëroi Ali ibn Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) që t’i lutet Allahut dhe t’i kërkojë, duke thënë: "O Allah, më udhëzo" dhe më drejto, e më përudh, "...dhe më bëj të saktë", e më jep sukses dhe më bëj të qëndrueshëm në të gjitha çështjet e mia.
Pra, udhëzimi (ar. el huda) është njohja e së vërtetës në detaje dhe në mënyrë të përgjithshme, si dhe suksesi për ta ndjekur atë si në dukje ashtu edhe në brendësi.
Ndërsa saktësia (ar. es sedad) është suksesi dhe qëndrueshmëria në të gjitha çështjet, duke qenë në përputhje me të vërtetën. Ajo përfaqëson rrugën e drejtë në fjalë, vepra dhe në bindje.
Meqë çështjet shpirtërore bëhen më të qarta përmes shembujve të ndjeshëm, kujto kur e thua këtë lutje se: "udhëzimi është si orientimi në rrugë". Sille në zemrën tënde ndërsa kërkon udhëzim, duke e imagjinuar orientimin e një udhëtari, i cili nuk devijon as djathtas as majtas nga rruga. Kjo, në mënyrë që të shpëtojë nga humbja, të jetë i sigurt dhe të arrijë qëllimin e tij shpejt.
Me shprehjen "es Sedad" (saktësi) nënkuptohet saktësia e shigjetës. Ti e vëren se kur e drejton shigjetën, ajo arrin shpejt dhe e godet cakun. Harkëtari, kur qëllon një cak, e drejton shigjetën me saktësi drejt tij. Në të njëjtën mënyrë, kur i lutesh Allahut të Lartësuar për saktësi, kërkon që ajo që synon, të jetë e përkryer, sikur një shigjetë që arrin cakun. Pra, në lutjen tënde, ti je një kërkues i udhëzimit të plotë dhe i saktësisë absolute.
Prandaj, sill këtë kuptim në zemrën tënde kur i lutesh Allahut për saktësi, në mënyrë që ajo që synon të përputhet me atë që përdor gjatë qëllimit me shigjetë.

Mësime nga hadithi

  1. Lutësi duhet të kujdeset për saktësimin dhe përmirësimin e veprës së tij, duke iu përmbajtur sunetit dhe duke pasur qëllim të sinqertë.
  2. Pëlqehet të bëhet lutje me këto fjalë gjithëpërfshirëse për udhëzim dhe saktësi.
  3. Njeriu duhet t'i kërkojë ndihmë Allahut të Lartësuar në të gjitha çështjet e tij.
  4. Përdorimi i shembullit në kontekstin e mësimdhënies.
  5. Bashkimi mes kërkimit të udhëzimit dhe përmirësimit të gjendjes, vazhdimësisë në të dhe shmangies nga devijimi, qoftë edhe për një çast, si dhe përmirësimit të përfundimit. Thënia e tij: "Më udhëzo", nënkupton që të jetë duke ecur në rrugën e udhëzimit, ndërsa thënia: "...më bëj të saktë", nënkupton arritjen e saktësisë dhe shmangien nga devijimi, pasi të ketë arritur në udhëzimin e kërkuar.
  6. Lutësi duhet t’i kushtojë rëndësi lutjes së tij dhe t’i sjellë në zemër kuptimet e saj, sepse kjo është më e përshtatshme për pranimin e tyre.
Përkthimi: Anglisht Urdu Spanjisht Indonezisht Bangalisht Frëngjisht Turqisht Rusisht Boshnjakisht Sinhalisht Indisht Kinezisht Persisht Vietnamisht Tagalogisht Kurdisht Hausaisht Portugalisht Melejalemisht Gjuha telugu Sevahilisht Tamilisht Tajlandisht Gjermanisht Gjuha Pashto Asamisht Suedisht Emherisht Hollandisht Guxhratisht Kyrgyzisht Nepalisht Lituanisht Darisht Serbisht Kinjaruandisht Rumanisht Hungarisht الموري Malagasisht Oromisht Kannadisht الولوف Ukrainisht الجورجية المقدونية الخميرية الماراثية
Shfaq përkthimet