عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ:
«قَالَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ: يُؤْذِينِي ابْنُ آدَمَ يَسُبُّ الدَّهْرَ وَأَنَا الدَّهْرُ، بِيَدِي الأَمْرُ أُقَلِّبُ اللَّيْلَ وَالنَّهَارَ».

[صحيح] - [متفق عليه] - [صحيح البخاري: 4826]
المزيــد ...

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Allahu i Lartmadhëruar thotë: “I biri i Ademit më fyen Mua. Ai e shan kohën, ndërkohë Unë jam koha (Zoti i saj). Unë e sjell natën dhe ditën.”

[Sahih] - [Muttefek alejhi] - [Sahihu i Buhariut - 4826]

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka njoftuar se Allahu i Lartmadhëruar thotë në hadithin kudsij: "Njeriu më lëndon dhe më nënçmon kur e shan dhe e fajëson kohën në çastet e fatkeqësive dhe vështirësive, ndërkohë që vetëm Allahu i Lartësuar është Ai që i kontrollon dhe i drejton të gjitha ngjarjet që ndodhin. Prandaj, sharja e kohës është në të vërtetë sharje ndaj Allahut të Lartësuar, sepse koha është një krijesë e nënshtruar ndaj Tij, në të cilën ndodhin ngjarjet me urdhrin e Allahut të Lartësuar."

Mësime nga hadithi

  1. Ky hadith është nga ato që Profeti ﷺ i transmeton nga Zoti i tij dhe quhet hadith i shenjtë (ar. kudsij) ose hyjnor, që shprehja dhe kuptimi i tij janë nga Allahu, vetëm se nuk i ka karakteristikat e Kuranit, që e dallojnë atë nga çdo gjë tjetër, si: të bërët adhurim me leximin e Kuranit, të qenët i pastër gjatë leximit, sfidimi (që të sjellin një të ngjashëm me të), paimitueshmëria etj.
  2. Të treguarit e edukatës së duhur me Allahun e Lartësuar në fjalë dhe në besim.
  3. Është detyrë të besohet në kadanë dhe kaderin (paracaktimin hyjnor) si dhe të tregohet i durueshëm ndaj sprovave e lëndimeve.
  4. Lëndimi është ndryshe nga dëmtimi. Njeriu mund të lëndohet duke dëgjuar ose duke parë diçka të pakëndshme, pa u dëmtuar realisht prej saj. Po ashtu, njeriu mund të lëndohet nga një erë e keqe, si ajo e qepës apo hudhrës, pa pësuar ndonjë dëm të vërtetë prej saj.
  5. Allahu i Lartmadhëruar lëndohet nga disa prej veprave të këqija të robërve të Tij, por Ai nuk dëmtohet prej tyre. Siç thotë Allahu i Lartësuar në hadithin kudsij: "O robërit e Mi! Ju kurrë nuk mund të arrini në shkallë që t'më bëni dëm e të më dëmtoni, e as që mund të arrini në shkallë që të më bëni dobi e të më bëni mirë."
  6. Sharja e kohës dhe përshkrimi i saj ndahen në tri kategori: 1. Të shahet koha duke besuar se ajo vetë është vepruesja, domethënë duke besuar se koha është ajo që i kthen gjërat në të mira ose të këqija. Ky është shirk i madh, sepse njeriu beson se ka krijues tjetër përveç Allahut dhe ndodhjen e ngjarjeve ia atribuon dikujt tjetër përveç Tij. 2. Të shahet koha pa besuar se ajo vetë është vepruesja, por duke besuar se Allahu është Vepruesi, megjithatë e shan kohën sepse ajo është vendi ose koha në të cilën ndodh ajo gjë që ai e urren, atëherë kjo është e ndaluar. 3. Të thuhet kjo vetëm si pohim, pa qortim dhe pa sharje, atëherë kjo është e lejuar. Shembull për këtë është fjala e Lutit (alejhi selam): “Kjo është një ditë e vështirë.” (Hud, 77)
Shfaq përkthimet
Gjuha: Anglisht Indonezisht Bangalisht Më shumë (39)