+ -

عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ عَمْرٍو رضي الله عنهما قال: قال رَسولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ:
«أَرْبَعٌ مَنْ كُنَّ فِيهِ كَانَ مُنَافِقًا خَالِصًا، وَمَنْ كَانَتْ فِيهِ خَلَّةٌ مِنْهُنَّ كَانَتْ فِيهِ خَلَّةٌ مِنْ نِفَاقٍ حَتَّى يَدَعَهَا: إِذَا حَدَّثَ كَذَبَ، وَإِذَا عَاهَدَ غَدَرَ، وَإِذَا وَعَدَ أَخْلَفَ، وَإِذَا خَاصَمَ فَجَرَ».

[صحيح] - [متفق عليه] - [صحيح مسلم: 58]
المزيــد ...

Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ai që i ka këto katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë: kur flet, gënjen; kur bën marrëveshje, tradhton; kur premton, nuk e mban premtimin, si dhe kur polemizon, bëhet i pasjellshëm."

[Ky hadith është sahih] - [Muttefek alejhi] - [Sahihu i Muslimit - 58]

Shpjegimi

Profeti ﷺ në këtë hadith ka paralajmëruar për katër tipare, të cilat, nëse bashkohen te një musliman, do t'u shëmbëllente shumë hipokritëve, për shkak të këtyre tipareve. Kjo vlen për ata te të cilët mbizotërojnë këto tipare. E, sa u përket atyre te të cilët këto tipare janë të rralla, nuk përfshihen në këtë hadith. Këto tipare janë:
E para: kur flet, qëllimisht gënjen dhe nuk thotë të vërtetën në bisedim.
E dyta: kur bën një marrëveshje, nuk e përmbush atë dhe e tradhton personin me të cilin ka bërë marrëveshje.
E treta: kur premton, nuk e përmbush premtimin dhe nuk e mban atë.
E katërta: nëse polemizon dhe grindet me dikë, bëhet i ashpër dhe mënjanohet nga e vërteta; tregohet dinak në refuzimin dhe zhvlerësimin e së vërtetës dhe thotë të pavërteta e gënjeshtra.
Hipokrizia është shfaqja e së kundërtës së asaj që e fsheh. Ky kuptim është i pranishëm te njeriu që i ka këto tipare. Hipokrizia e tij vlen për atë njeri me të cilin flet, me atë që i premton,me atë që bën marrëveshje dhe me atë që polemizon, e jo se ai është hipokrit në Islam, në kuptimin që shfaq Islamin dhe fsheh kufrin(mosbesimin). Ndërkaq, ai që ka njërin nga këto tipare, ka një tipar të hipokrizisë, derisa ta braktis atë.

Mësime nga hadithi

  1. Sqarimi i disa tipareve të hipokritit, për t'i frikësuar dhe paralajmëruar njerëzit të mos bien në to.
  2. Kuptimi i hadithit është se këto tipare janë tipare të hipokrizisë dhe njeriu që karakterizohet me këto tipare është i ngjashëm me hipokritët në këto tipare dhe ka përvetësuar moralin e tyre. Nuk do të thotë se ai është hipokrit në kuptimin e plotë, si dikush që shfaq Islamin dhe e fsheh kufrin. Është thënë gjithashtu se kjo vlen për atë që këto tipare mbizotërojnë tek ai dhe ai i nënvlerëson dhe i merr për të lehta. Nëse dikush vepron kështu, në shumicën e rasteve ndodh për shkak se besimin e ka të prishur.
  3. Gazaliu ka thënë: "Thelbi i fetarisë përmblidhet në tri gjëra: fjalë, vepër dhe nijet (qëllim). Profeti ﷺ tërhoqi vërejtjen mbi prishjen e fjalës përmes gënjeshtrës, prishjen e veprës përmes tradhtisë dhe prishjen e nijetit përmes shkeljes së premtimit, sepse shkelja e premtimit konsiderohet mangësi atëherë kur qëllimi për ta thyer atë është i pranishëm që në momentin e dhënies së premtimit. E, nëse dikush ka qëllim të sinqertë në fillim, por më pas i del ndonjë pengesë ose e sheh më të arsyeshme të veprojë ndryshe, atëherë në këtë rast nuk ka vend për hipokrizi."
  4. Hipokrizia ndahet në dy lloje: 1. Hipokrizia ideologjike, që e nxjerr njeriun nga imani, që nënkupton shfaqjen e Islamit dhe fshehjen e kufrit (mosbesimit). 2. Hipokrizia e veprës, që nënkupton shëmbëllimin me hipokritët në tiparet e tyre. Kjo nuk e nxjerr njeriun nga imani, por është mëkat i madh.
  5. Ibën Haxheri ka thënë: "Dijetarët janë pajtuar njëzëri se kushdo që beson me zemrën e gjuhën e tij dhe më pas i kryen këto gjëra, nuk do të gjykohet si jobesimtar e as është hipokrit që do të mbetet përjetësisht në Xhehenem."
  6. Neveviu ka thënë: "Një grup dijetarësh janë shprehur se në këtë hadith janë për qëllim hipokritët që ishin në kohën e Profetit ﷺ, të cilët e shprehën imanin dhe e përgënjeshtruan; iu besua çështja e fesë, por tradhtuan; bënë premtime rreth çështjeve të fesë dhe se do ta ndihmojnë, por e thyen premtimin, si dhe gjatë polemikave dhe konflikteve ishin të pasjellshëm."
Përkthimi: Anglisht Urdu Spanjisht Indonezisht Bangalisht Turqisht Rusisht Boshnjakisht Sinhalisht Indisht Kinezisht Persisht Vietnamisht Tagalogisht Kurdisht Hausaisht Portugalisht Melejalemisht Gjuha telugu Sevahilisht Tajlandisht Gjuha Pashto Asamisht Suedisht Emherisht Hollandisht Guxhratisht Kyrgyzisht Nepalisht Lituanisht Darisht Serbisht Taxhikisht Kinjaruandisht Rumanisht Hungarisht Çekisht الموري Malagasisht Oromisht Kannadisht الولوف Azerisht Uzbekisht Ukrainisht الجورجية المقدونية الخميرية الماراثية
Shfaq përkthimet
Më shumë